fbpx

Projekte

3 mësime të vyera që kuptova gjatë kursit të kuzhinës në ATC

10:50am , 15.10.2021

Gjatë procesit të mjeshtërimit të kuzhinës mëson shumë dhe jo vetëm për gatimin. Këtë e kuptova afër leksioneve të fundit kur si çdo kursant tjetër, nisa të mendoj për arsyet që më sollën në ATC dhe çfarë mësova në fund të programit. Për të gjithë që po pyesni veten se kush jam unë, quhem Erald dhe jam në përfundim të kursit të kuzhinës në Institutin Profesional ATC.

Në rrugëtimin 51-javor drejt profesionit tim të jetës, mësova nga përgatitja më bazike e perimeve e deri të ëmbëlsirat e sofistikuara me teknika të vështira. Dëshira për të dhënë maksimumin tim shërbeu si motivim për kreativitetin gjatë përgatitjes së pjatave. Tani nuk ka më kthim pas – kam ëndërruar gjithmonë të jem shef kuzhine dhe jam gati! Gjendem para vijës së finishit dhe kam dëshirë të ndalem më gjatë për të ndarë me ju disa leksione të rëndësishme për jetën, të cilat besoj do t’i vlejnë kujtdo që ka të njëjtin pasion me mua.

1. Durimi është një vyrtyt…Jo të gjithë e kanë!

“Durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël!” thotë përherë nëna ime. Këtë e mësova gjatë kohës kur po të piqja ëmbëlsirat e para gjatë leksioneve. E pranoj se nga frika se do të digjeshin, kontrolloja furrën çdo 2 minuta. Doja të piqeshin në mënyrë perfekte dhe të merrja duartrokitjet e profesorit. Çfarë më solli kjo? U desh më shumë kohë që të piqeshin se unë ulja temperaturën sa herë i kontrolloja. Si përfundim, pa i rënë gjatë, e përdora këtë krahasim për të vënë në dukje se njerëzit bëjnë të njëjtin gabim si unë, paçka se rrethanat ndryshojnë. Gjërat e mira kanë nevojë për kohë.

2. Mise en place!

Termi me origjinë nga Franca, “Çdo gjë në vendin e vet”, ka të bëjë me sistemimin e materialeve të punës para nisjes së përgatitjes së pjatës. Është një ndër rregullat themelore që na është mësuar në ATC. Të tregohem i sinqertë, m’u desh pak kohë të mësohem me këtë rregull duke qenë se kur gatuaja në shtëpi, gjithmonë kisha lirinë të isha sa rrëmujaxhi të doja. Ky rregull më bëri të kuptoj se puna ka një etikë të caktuar dhe se ndjekja e saj e bën përfundimin më efektiv, të shpejtë dhe në rastin tim, më të shijshëm. Organizim dhe pastërti, bazat në çdo vend pune dhe jo vetëm!

3. Duaje punën që ke zgjedhur sepse do e bësh gjithë jetën tënde!

Do të ketë ditë të bukura, ashtu siç do ketë ditë të vështira. Javën e parë u ngrita i lodhur dhe i pamotivuar sepse nuk ia kisha marrë dorën gatimeve. Javën e dytë ndihesha i acaruar dhe isha gati të hiqja dorë. Javën e tretë, nisa të çohesha me një dëshirë për të gatuar diçka fantastike për drekë duke pasur në mendje këshillat e profesor Antonit. Kuptova se unë dhe kuzhina jemi të pandarë.

Kam dëgjuar shpesh njerëzit të thonë: “Nëse bëni atë që doni, nuk do ju duhet të punoni asnjë ditë të vetme në jetë.” Nuk mund të them se bie 100% dakord me këtë shprehje ndaj i bëra një ndryshim të vockël. Për mua, nëse bëni atë që doni, do ju duhet të punoni, ama kënaqësia që do merrni nga puna nuk krahasohet me asgjë në botë!